Shkruan:Kristjan Gj. Dukaj
Për shumë mot festa! Urim tradicional me rastin e festave në hapësirën mbarëshqiptare. Sa bukur! Me pak fjalë por shumë domethënëse, shqiptarët përgëzojnë njëri-tjetrin në rastet e festave; urim që reflekton dëshirë, shpresë, besim, sinqeritet dhe dashamirësi vëllazërore.
Prandaj, edhe me rastin e 28 Nëntorit- Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, gëzuar e përgjithmonë Lirinë dhe Pavarësinë Kombëtare. Sa emocione të thella përjeton zemra shqiptare nën tingujt e himnit kombëtar, me rastin e festës më të madhe në historinë e lavdishme të këtij populli, sa të lashtë po aq të vuajtur, shekuj me radhë në luftë për liri e pavarësi. Për lirinë e tokës shqiptare të trashëguar nga brezi në brez, me vlera të lavdishme dhe të përjetshme mbi themelet e vendosura nga Gjergj Kastrioti Skenderbeu dhe kulmin e vendosur në Vlorë, mbi muret e kullës heroike të tokës arbërore. Brezi i ri, i frymëzuar nga sakrifica dhe vlera të shumta e që reflektojnë atdhedashurinë, shpresë e besim dhe mbi të gjitha, krenari kombëtare, duke përkujtuar historinë e lavdishme, ndërton të ardhmen e vet më të bukur dhe më të sigurt në tokën e të parëve, të quajtur Shqipëri.
28 Nëntori, është rasti më i mirë jo vetëm në përkujtim të vlerave por edhe për tu frymëzuar në ruajtjen dhe kultivimin e tyre nëpër shekuj. Njëjtë, ishte edhe këto ditë me rastin e aktiviteteve të organizuara në Kryeqytetin shqiptar, mes tjerash edhe në vendosjen e përmendores së Dedë Gjo’ Lulit, prijësit të Kryengritjes së Malësisë së Madhe në vitin 1911. Kësaj ngjarje të shënuar historike e cila i parapriu ngritjes së Flamurit Kombëtar në Vlorë, një vit më vonë.
Nuk kam për qëllim që në këtë shkrim të shkurtër të thellohem në këtë ngjarje të lavdishme të historisë sonë, pasi për të janë shkruar libra dhe publikuar punime të shumta shkencore, letrare e folklorike, por 28 Nëntori i këtij viti në kryeqytetin e shtetit tonë amë, i dha vendin e merituar këtij trimi i cili sakrifikoi gjithçka kishte për lirinë dhe pavarësinë e tokës shqiptare.
Vendosja e përmendores së tij në këtë vend të bukur pranë muzeut historik kombëtar, sikur na kujton një histori të tërë e cila ruan në vete me besnikëri amanetin e këtij heroi mbarëkombëtar për dashuri vëllazërore në ruajtjen e vlerave të trashëguara dhe ndërtimin e të ardhmes së popullit shqiptar. Edhe këtë ditë, në vigjilje të Ditës së pavarësisë, kryetrimi Dedë Gjon Luli, kishte tubuar bijtë e tokës arbërore rreth idesë së shenjtë për të festuar dhe gëzuar së bashku. Ishin tubuar këtu vëllezër të shumtë nga hapësira mbarë shqiptare, e në veçanti bashkëvendës tonë të shumtë që jetojnë larg vendlindjes, në mërgim në nderim të kësaj ngjarje të shënuar në Tiranë.
Të gjithë ata, u përkulën para përmendores së këtij heroi kombëtar, të cilin po atë ditë, kreu i shtetit shqiptar, Z.Bujar Nishani, e nderoi me dekoratën e “Flamurit Kombëtar”. Në këtë mënyrë, pasardhësit e tij, pastaj të mbarë fisit dhe kombit në përgjithësi, dëshmuan “Besën” e njohur në këto hapësira në ruajtjen e vlerave të shenjta si frymën e shpirtit tonë kombëtar. Bashkëvendësit tonë që jetojnë në mërgim ( Shoqatat “Malësia e Madhe”, nga Nju Jorku, dhe nga Michigani, në SHBA), nuk e kursyen djersën e vet në ndërtimin e përmendores në shenjë mirënjohjeje për sakrificën më të madhe të Dedë Gjon Lulit për lirinë e këtyre trojeve. Shumë nga ata, edhe pse jetojnë larg vendlindjes, kishin ardhur atë ditë në Tiranë, të përjetojnë këtë moment të paharruar së bashku me vëllezërit e vet në respekt të kaluarës sonë të lavdishme, e cila i flet të tashmes dhe të ardhmes sonë.