“Amaneti i Skënderbeut”
Sa rrojta s’u turpëruam,
Të gjithë bashkë luftuam,
Vëndin tonë e nderuam,
Se nga Turqit e shpëtuam.
Por tani u afrua
Dit’ e fundit dhe për mua.
Gjithë këtë ditë presim,
Kemi ler’ e do të vdesim,
Njeri për jetë s’ka mbetur,
Dheu të gjith’ i ka tretur;
Por lum kush është përpjekur
Dhe për Atdhenë ka vdekur.
Ndaj desha, sa jam i gjallë,
T’u mbledh, t’u them këto fjalë:
“O vëllezër Shqipëtarë,
Ju lutem të bëni mbarë,
Gjithë bashk’ e të pandarë.
Mysliman’ e të Krishtërë
Perëndia na ka bërë,
Jemi vëllezër të tërë.
Zoti kur bëri Isanë
Me një fytyrë të naltë,
Të krishtër’ e Myslimanë
I gatoi nga një baltë.
Zoti me të madh të vetë
është një dhe i vërtetë
Si këtu dhe n’atë jetë.
Si Ungjilli dhe Kurani;
Mos e ndani Perëndinë,
Shoku shoknë mos e hani,
Si punojn’ ata që s’dinë.
Besa ësht e Gjithësisë;
Se kemi pirë një sisë.
Për Perëndi që besoni,
Shqipërinë mos harroni.
Pra faluni si të doni,
por faluni te Perëndia,
Të shpëtojë Shqipëria
Nga e ndyra robëria.
Tani ta shpëtoni vetë,
Se unë nuk kam më jetë,
do vete tek Zot’ i vërtetë.
Do t’i lutem duke qarë
Te jetë me Shqipëtarë’
Dhe t’u japë dashurinë,
Të ndërtojnë Shqipërinë”
A.Z Cajupi, 1902