Sopranoja shqiptare e njohur ndërkombëtarisht, Ermonela Jaho, ka shprehur urimet e saj për Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pas prezantimit të projektit fitues për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit të Kosovës. Ajo ka postuar në media sociale, duke përgëzuar këtë zhvillim të rëndësishëm për kulturën kosovare.



Në postimin e saj, Jaho ka shprehur entuziazmin dhe mbështetjen e saj të plotë për projektin, duke theksuar rëndësinë e tij për zhvillimin e artit dhe kulturës në Kosovë. Ajo ka premtuar se do të jetë pjesë e kësaj arritjeje të madhe për vendin. “Urime për projektin, z. Kryeministër. Le të punojmë që të realizohet sa më shpejt që të jetë e mundur. Arti nuk është opsional. Njeriu nuk ka nevojë vetëm për bukë. Ne jetojmë dhe arrijmë sublimen përmes Artit. Në qoftë se do ta ndërtoni, unë premtoj se do jem aty të lë një pjesë të zemrës time,” ka shkruar Jaho.

Kryeministri Kurti ka shprehur mirënjohjen e tij për mbështetjen e Ermonela Jaho dhe ka theksuar rëndësinë e këtij projekti për zhvillimin e kulturës dhe turizmit në Kosovë. Projekti fitues, ideuar nga arkitekti Bjarke Ingels, do të përmbajë katër auditoriume me kapacitet prej 300 deri në 1200 ulëse dhe pritet të fillojë realizimin në vitin 2026.
Kjo ngjarje ka tërhequr vëmendjen e artistëve dhe dashamirësve të artit anembanë, duke shënuar një hap të rëndësishëm për kulturën e Kosovës.
Foto nga Google Images